Politika e privatësisë
Centrol është aplikacion për t’i mbajtur shënim shpenzimet personale dhe të biznesit. Këtu shpjegojmë shkurt cilat të dhëna ruajmë, pse i ruajmë dhe si i kontrollon ti.
Aplikacionin e publikon Bitmady Labs LLC („ne”). Për çdo pyetje rreth privatësisë na shkruaj në support@centrol.app.
Shkurt
- Të dhënat e tua financiare janë të tuat. Nuk i shesim dhe nuk i ndajmë me askënd për reklama.
- Në aplikacion nuk ka reklama dhe nuk ka gjurmim (tracking).
- Nuk kërkojmë kurrë qasje në llogarinë tënde bankare.
- Mund t’i eksportosh ose t’i fshish të gjitha të dhënat kurdo, nga Cilësimet.
Çka ruajmë
- Llogarinë: email-in dhe fjalëkalimin. Fjalëkalimi ruhet vetëm i hash-uar, kështu që as ne nuk mund ta shohim.
- Çka shkruan vetë: lëvizjet (shpenzime, të hyra, kursime), llogaritë, kategoritë, buxhetet, qëllimet, abonimet, garancitë, borxhet dhe shënimet.
- Skedarët që ngarkon: fotot e faturave, dokumentet dhe kartelat e garancisë. Ruhen në hapësirë private, të cilën e sheh vetëm ti. Para ngarkimit, nga fotot hiqen të dhënat e fshehura si vendndodhja (GPS) dhe modeli i telefonit.
- Enkriptimi end-to-end: shënimet, emrat e dyqaneve, emrat te borxhet, garancitë, titujt e dokumenteve dhe vetë skedarët enkriptohen në pajisjen tënde para se të dërgohen. Çelësin e ke vetëm ti (fjalëkalimi dhe kodi i rikthimit), kështu që as ne, as ofruesi i serverit nuk mund t’i lexojmë. Shumat, datat dhe kategoritë ruhen të lexueshme që sinkronizimi dhe llogaritjet të punojnë. Lista e përbashkët e familjes nuk enkriptohet, sepse e lexojnë të gjithë anëtarët.
- Emrat e njerëzve të tjerë: kur shënon një borxh ose një artikull në listën e familjes, ruhet vetëm ajo që shkruan ti. Këto të dhëna i përdor vetëm ti (ose familja jote, për listën) dhe nuk i përdorim për asgjë tjetër.
- Listën e familjes: nëse bashkohesh me një familje, artikujt e listës së përbashkët për blerje i shohin edhe anëtarët e tjerë. Asgjë tjetër nga të dhënat e tua nuk u shfaqet.
- Raportet e gabimeve: kur aplikacioni rrëzohet, mund të dërgohet një raport teknik (modeli i pajisjes, versioni i sistemit dhe i aplikacionit, vendi ku ndodhi gabimi). Raporti nuk përmban shuma, emra tregtarësh as email-in tënd.
- Tokenin e njoftimeve: nëse i lejon njoftimet push, pajisja na jep një kod teknik që na mundëson të të dërgojmë njoftime.
Çka mbetet vetëm në telefon
- Leximi i faturave (OCR) bëhet në pajisje. Fotot nuk i dërgohen asnjë shërbimi të inteligjencës artificiale.
- Face ID dhe kodi PIN funksionojnë vetëm në pajisje. Ne nuk marrim kurrë të dhëna biometrike.
- Kujtesat lokale krijohen në telefon.
- Një kopje e të dhënave ruhet e enkriptuar në telefon, që aplikacioni të punojë edhe pa internet.
Pse i përdorim
Vetëm për ta bërë aplikacionin të punojë: për t’i ruajtur dhe sinkronizuar shënimet ndërmjet pajisjeve, për të të identifikuar kur hyn, për ta rikthyer fjalëkalimin dhe për t’i rregulluar gabimet.
Baza ligjore është marrëveshja me ty (Kushtet e përdorimit); për raportet e gabimeve, interesi ynë i ligjshëm që aplikacioni të punojë mirë; për njoftimet, pëlqimi yt. Nuk bëjmë profilizim dhe nuk marrim vendime automatike për ty.
Ku ruhen dhe kush na ndihmon
Të dhënat ruhen në serverë në Bashkimin Evropian (Irlandë). Përdorim pak ofrues të jashtëm, secilin vetëm për një punë:
- Supabase — databaza, hyrja në llogari dhe ruajtja e skedarëve (BE, Irlandë).
- Ofruesi i email-it — email-at e llogarisë, si kodi për rikthimin e fjalëkalimit. Merr vetëm adresën e email-it.
- Sentry — raportet e gabimeve, pa shuma dhe pa të dhëna personale.
- Apple dhe Expo — dërgimi i njoftimeve push. Marrin vetëm tokenin e pajisjes dhe tekstin e njoftimit.
Këta ofrues i përpunojnë të dhënat në emrin tonë dhe vetëm për këto qëllime. Kur ndonjëri prej tyre i përpunon jashtë BE-së, mbështetet në klauzolat standarde kontraktuale të BE-së.
Kurset e këmbimit i marrim nga frankfurter.dev (kurset publike të Bankës Qendrore Evropiane). Me këtë kërkesë nuk dërgohet asnjë e dhënë jotja.
Sa kohë i mbajmë
- Sa ke llogari, të dhënat i mbajmë që t’i kesh në çdo pajisje.
- Kur fshin një shënim, ai fshihet nga pajisjet menjëherë dhe nga serveri përgjithmonë pas 30 ditësh (koha që ta marrin vesh edhe pajisjet e tjera).
- Kur e fshin llogarinë, fshihen menjëherë llogaria, të gjitha shënimet dhe skedarët. Kopjet rezervë të serverit fshihen vetvetiu brenda 30 ditësh.
- Raportet e gabimeve mbahen jo më shumë se 90 ditë.
Të drejtat e tua
Ke të drejtë:
- të dish çka ruajmë për ty dhe të marrësh një kopje (qasja);
- t’i marrësh të dhënat në format të përdorshëm: Cilësimet → Eksporto (CSV, Excel ose PDF);
- t’i korrigjosh: çdo shënim e ndryshon vetë në aplikacion;
- t’i fshish: Cilësimet → Fshij llogarinë fshin menjëherë gjithçka;
- ta kundërshtosh ose ta kufizosh përpunimin, dhe ta tërheqësh pëlqimin për njoftimet kurdo.
Për çdo kërkesë tjetër na shkruaj në support@centrol.app. Përgjigjemi brenda 30 ditësh.
Këtë politikë e kemi shkruar duke pasur parasysh Ligjin Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR). Nëse mendon se të dhënat e tua nuk trajtohen si duhet, mund të ankohesh te Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ose tek autoriteti i mbrojtjes së të dhënave në vendin ku jeton.
Siguria
Lidhja me serverin është e enkriptuar, dhe serveri i ruan të dhënat të enkriptuara në disk. Pjesët private (shënimet, emrat, dokumentet) enkriptohen end-to-end në pajisjen tënde. Databaza i lejon secilit përdorues t’i lexojë vetëm të dhënat e veta. Aplikacioni mund të mbyllet me Face ID ose PIN, dhe pas shumë tentimeve të gabuara kërkon sërish fjalëkalimin.
Ruaje kodin e rikthimit në një vend të sigurt: pa fjalëkalimin dhe pa këtë kod, pjesët e enkriptuara nuk mund të rikthehen, as nga ne.
Nëse ndodh ndonjë incident sigurie që prek të dhënat e tua, të njoftojmë pa vonesë dhe njoftojmë autoritetin përkatës brenda 72 orëve, siç e kërkon ligji. Asnjë sistem nuk është plotësisht i pacenueshëm, por bëjmë çmos që të dhënat e tua të jenë të mbrojtura.
Fëmijët
Centrol nuk është për persona nën 16 vjeç. Nuk mbledhim me dije të dhëna të fëmijëve; nëse marrim vesh se kemi të tilla, i fshijmë.
Ndryshimet
Nëse e ndryshojmë këtë politikë, e përditësojmë datën lart. Për ndryshime të rëndësishme të njoftojmë në aplikacion.
Kontakti
Bitmady Labs LLC · support@centrol.app